Arrestohen dy persona të dyshuar për fajde
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka realizuar sot një operacion policor ku ka arrestuar dy persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Fajde”.
Të dyshuarit B.F. (1977) dhe A.F. (1986) dyshohet se në vazhdimësi kanë detyruar viktimën të paguante shuma të ndryshme parash si interes për fajde dhe, përmes presioneve të ndryshme, kanë kërkuar edhe marrjen e njësive banesore që janë në ndërtim, në pronësi të viktimës.
Sipas policisë, B.F. është arrestuar në flagrancë gjatë pranimit të parave, ndërsa A.F. është ndaluar në vendbanimin e tij. Personi i tretë i dyshuar, B.B. (1985), nuk është gjetur në shtëpi dhe ndaj tij është lënë ftesë për t’u paraqitur në polici.
Me urdhër të gjykatës, janë kontrolluar tri vendbanime të të dyshuarve, ku janë sekuestruar dëshmi materiale që do të shërbejnë në procedurën penale.
Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim ndaj dy të dyshuarve B.F. dhe A.F.