Klinë: Babai ndalohet 48 orë, akuzohet për dhunë ndaj dy vajzave të mitura

Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në orët e para të mëngjesit në Klinë, ku dy vajza të mitura kanë denoncuar babanë e tyre.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 20 gusht 2025, rreth orës 01:00, Policia është njoftuar për një mosmarrëveshje në një familje në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Klinë.

Në vendngjarje janë takuar viktimat, F.B.,rreth 19-vjeçare dhe motra e saj D.B., rreth 15-vjeçare, të cilat janë shoqëruar në stacion për intervistim. Sipas deklaratës së tyre, vajzat kishin dalë në qytet rreth orës 20:00 dhe ishin kthyer në shtëpi rreth orës 23:30, ku babai i tyre F.B., rreth 53-vjeçar kishte reaguar me britma dhe u kishte marrë telefonat.

Nga ana tjetër, i dyshuari ka deklaruar se mosmarrëveshja kishte ndodhur rreth orës 01:00, në momentin kur vajzat ishin kthyer në shtëpi.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, është iniciuar rast për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Po ashtu, është urdhëruar që viktima e dytë, e mitur, të intervistohet edhe në prani të Qendrës për Punë Sociale gjatë ditës.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Lexo edhe:  Mësohet moti për 5 ditët e ardhshme në Kosovë