Aksident i rëndë në Gjermani:Autobusi me udhëtarë nga Kosova përplaset me kamion, 30 të lënduar

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Gjermani, ku një autobus turistik me pasagjerë nga Kosova është përplasur me një kamion në autostradën A8, pranë Irschenbergut. Si pasojë e përplasjes, 30 persona kanë mbetur të lënduar, dy prej tyre në gjendje të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:05, kur autobusi me 50 pasagjerë ka goditur në pjesën e pasme një rimorkio kamioni të ngarkuar me perime, shkruan Rosenheim24

Kamioni drejtohej nga një 46-vjeçar me shtetësi polake dhe ishte duke udhëtuar në drejtim të Mynihut.

Sipas autoriteteve gjermane, shoferi i autobusit, një 49-vjeçar nga Sllovenia, nuk e kishte vënë re në kohë rimorkion dhe përplasja ka ndodhur pavarësisht përpjekjeve për të shmangur aksidentin.

Autobusi ishte duke transportuar qytetarë nga Kosova, por ende nuk është bërë e ditur identiteti i të lënduarve.

Për shkak të aksidentit, autostrada A8 në drejtim të Mynihut është mbyllur plotësisht për rreth dy orë, duke shkaktuar kolona të gjata dhe vonesa në qarkullim. Njësitë e shpëtimit dhe emergjencës kanë qenë në vendngjarje me një numër të madh ekipesh për të ndihmuar të lënduarit dhe për të rikthyer qarkullimin në normalitet.

Hetimet për rrethanat e aksidentit janë duke vazhduar

 

Lexo edhe:  Lirohet kosovari që u raportua si i arrestuar nga policia serbe në kufi