Thirrja e seancës për nesër, Presidenca: Urgjencë shtetërore konstituimi sa më i shpejtë i Kuvendit

Presidenca e Kosovës ka bërë thirrje për krijim sa më të shpejtë të institucioneve në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar këtë si urgjencë shtetërore.

Nga Presidenca kanë deklaruar për Reporteri.net se konstituimi i Kuvendit është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve.

“Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”

Sipas Presidencës, zvarritja e deritanishme ka dëmtuar jo vetëm kredibilitetin e institucioneve e zhvillimin e vendit, por edhe përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Presidenca u ka bërë thirrje deputetëve që të veprojnë me përgjegjësi të plotë, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëbesimit, “në mënyrë që shteti të ecë përpara i konsoliduar dhe t’i përmbushë me sukses proceset e rëndësishme që e presin Kosovën në forcimin e pozitës së saj si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

Seanca është thirrur për në ora 11:00.

Siç bëhet e ditur në njoftim, në rend të ditës janë dy pika – zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Me publikimin e aktgjykimit të Kushtetueses, ditën e hënë, ka hyrë në fuqi edhe afati 30 ditor për konstituimin e Kuvendit.

Gjykata ka theksuar se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përmbyllin seancën konstituive duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Sipas Kushtetueses, për shkak se seancat e deritanishme nuk janë zhvilluar në përputhje me aktgjykimin në rastin KO124/25, procesi duhet të rikthehet në fazën ku kishte mbetur, teksa seancat nga data 27 qershor deri më 26 korrik, janë shpallur të pavlefshme.

Lexo edhe:  Ky është personi që u gjet i vdekur në mënyrë të dyshimtë sot në Mitrovicë

“Në vijim të kësaj, Gjykata sërish vë në dukje parimet dhe standardet që ndërlidhen me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ashtu siç është specifikuar më lart, Gjykata rithekson që mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën mosrespektim të Kushtetutës. Prandaj, në kuptim të moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç është afirmuar edhe nga Komisioni i Venecias, masat e nxjerra për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë legjitime, (shih paragrafin 69 të Opinionit CDL-AD (2017) 003). Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerëson që, për faktin që seancat e deritanishme nuk janë zhvilluar sipas Aktgjykimit në rastin KO124/25, procesi duhet të kthehet në fazën që kishte mbetur. Për këtë arsye, Gjykata thekson që vazhdimi i Seancës Konstituive me qëllimin për të konstituuar dhe funksionalizuar Kuvendin e Republikës së Kosovës është në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe që vazhdimi i Seancës Konstituive konsiderohet si i domosdoshëm në mënyrë që Kuvendi i Republikës së Kosovës si organ përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës të jetë plotësisht funksional në ushtrimin e mandatit kushtetues.”, thuhet në nenin 132 të këtij aktgjykimi të Kushtetueses.