Dronë të dyshimtë fluturojnë mbi Burgun e Dyzit, Policia rrit masat e sigurisë

Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz, që strehon disa nga të dënuarit dhe të paraburgosurit më të rrezikshëm në vend, prej ditësh është nën masa të rrepta sigurie. Arsyet? Fluturimet “misterioze” të disa dronëve mbi qiellin e këtij institucioni korrektues.

Siç ka mësuar Gazeta Online Reporteri.net, këta dronë janë parë prej kohësh duke përshkuar hapësirën ajrore mbi kompleksin e burgut të Dyzit, i ndodhur në fshatin Gërdovc të Komunës së Podujevës, që normalisht ruhet me rreptësi.

Në terren, tash e disa ditë, Njësia e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës patrullojnë pa ndërprerë, duke mbajtur nën vëzhgim çdo lëvizje pranë mureve të larta të institucionit që mbanë brenda të burgosurit më të rrezikshëm të vendit, përfshirë ata që dyshohen apo janë të dënuar për terrorizëm.

Origjina e dronëve mbetet mister, shkruan gazeta online Reporteri.net. Askush nuk e di kush i ka lëshuar, e po aq heshtin institucionet që duhet të japin përgjigje.

Për të hedhur dritë mbi ngjarjen, gazeta online Reporteri.net iu drejtua KFOR-it, Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

KFOR-i nuk është përgjigjur. Edhe autoritetet e burgut kanë shmangur komentet, duke mos sqaruar nëse këta dronë kanë qenë pjesë e pajisjeve të tyre. SHKK nuk ka treguar as nëse aty po mbahen të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë.

“Siç jeni në dijeni, Shërbimi Korrektues i Kosovës është përgjegjës ekskluzivisht për sigurinë e brendshme të institucioneve korrektuese. Çdoherë që ekziston ndonjë informacion lidhur me kërcënime ose sulme të mundshme ndaj institucioneve tona nga jashtë, SHKK i adreson menjëherë këto shqetësime te Policia e Kosovës dhe KFOR-i, të cilët janë përgjegjës për menaxhimin e sigurisë së hapësirës ajrore.”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Lexo edhe:  Franca dorëzon avionët e parë luftarakë “Mirage 2000-5” në Ukrainë

As Policia e Kosovës nuk ka zbuluar arsyet e vërteta të rritjes së masave të sigurisë, e as nëse ka dyshime për ndonjë tentim arratisjeje.

“Lidhur me kërkesën tuaj, për informim tuajin, ju njoftojmë se ju mund t’i referoheni autoriteti kompetent, KFOR dhe Aviacioni civil (AAC) të cilët janë përgjegjës për hapsirën ajrore.”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim të Policisë.