Bankat i rritën në heshtje kamatat
Një numër bankash i kanë rritur kamatat për rreth 20 për qind, kanë treguar qytetarë, të cilët janë interesuar për kredi të reja. Sipas BQK-së, për gjashtëmujorin e parë të vitit, kreditë kanë arritur në 6.37 miliardë euro, që përbën rritje vjetore prej 19.4 për qind. Përfaqësues të bizneseve dhe ekonomistë thonë se është e pajustifikueshme rritja e kamatave dhe theksojnë se familjet shpesh detyrohen të mbështeten te kreditë për shkak të çmimeve në rritje
Rritja e kërkesave për kredi i ka rritur në heshtje edhe kamatat nga disa banka komerciale që veprojnë në Kosovë.
Një qytetar i cili foli në kushte anonimiteti, tregoi se për gati 20 për qind është më e lartë kamata e kredisë për të cilën u interesua sivjet, krahasuar me atë që e mori vitin e shkuar.
“Vjet kam marrë kredi në vlerë 20 mijë euro dhe norma e interesit ka qenë 5.5 për qind për 7 vjet. Para disa ditësh u interesova për një kredi tjetër, interesi më tha 6.5 për qind për periudhë të njëjtë. Kjo do të thotë se 800 euro më shumë interes duhet të paguash krahasuar me atë të vitit të kaluar”, ka thënë ky qytetar.
Kreditë për 6 mujorin e parë të vitit 2025 kanë shënuar rritje prej 567.6 milionë eurosh ose 9.8 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, duke arritur në gjithsej 6.37 miliardë euro kreditë në sektorin bankar, kanë konfirmuar në Bankën Qendrore (BQK).
“Nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, vlera aktive e kredive në qershor 2025 krahasuar me qershor 2024 është 19.4% (06/2025: 6.37 miliardë euro; 06/2024: 5.33 miliardë)”, thuhet në një përgjigje të BQK-së.
Ky institucion konfirmoi se në muajin qershor gjithsej kreditë aktive në sektorin bankar, kreditë familjare aktive shënuan vlerën prej 2.61 miliardë euro, ndërsa kreditë për biznese 3.76 miliardë euro.
Ndërkaq, kreditë për ekonomitë familjare kanë shënuar rritje gjashtëmujore prej 260.8 milionë euro apo 11.1 për qind, ndërsa kreditë për biznese rritje prej 306.8 milionë euro apo 8.9 për qind.
Në BQK kanë folur edhe për rritje të kamatave për kredi.
“Normat e interesit në treg reflektojnë koston e fondeve e cila mund të ndryshojë në varësi të konkurrencës së lirë në treg për tërheqjen dhe mbajtjen e depozitave si dhe dinamikës së kreditimit të secilës bankë individualisht dhe deri në këtë moment, nuk kemi të dhëna që mund të mbështesim me analizë këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Ky institucion ka konfirmuar edhe tejkalimin e planit për dhënë të kredive nga bankat.
“Kreditimi në sektorin bankar gjatë vitit 2025 është rritur me ritme më të larta se vitet paraprake, me një normë vjetore prej 19.4% nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar Qershor 2024, përderisa në periudhën e njëjte 2023-2024 kreditimi është rritur me një normë prej 12%, ose edhe përgjatë viteve 2023 dhe 2024, duke bërë që sektori bankar të mbështesë ekonominë reale në mënyrë efektive, mbi mesataren e rajonit”, thuhet në përgjigje. “Sipas monitorimit të vazhdueshëm që bën BQK, rezulton se bankat kanë tejkaluar edhe projeksionet e tyre sa i përket kreditimit për këtë periudhë të vitit, që tregon se ka pasur ecuri të mirë dhe kreditim aktiv e efektiv të ekonomisë. Ndërsa në periudhën e ardhshme pritet që rritja e kredive të jetë më e balancuar”.
Kryetari i Shoqatës së Prodhueseve, Kushtrim Ajazi, thotë se është shqetësuese rritja e mbitërheqjeve bankare, e të cilat kanë kamata edhe më të larta.
“Në një situatë normale rritja e kredive do të ishte si besim i sektorit financiar në vend dhe ashtu do të duhej të shihej, por ndodh kjo kur kemi rritje të kredive, investime në industri të ndryshme, qoftë prodhuese apo industri të tjera. Ndërsa ekspozimi i lartë i kredive afatshkurtra tregon se qytetarët kanë mungesë të likuiditetit”, ka thënë Ajazi.
E, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, thotë se rritja e çmimeve që nuk përkon me nivel të pagave, i detyron shumë familje të gjejnë shpëtim te kreditë.
“Ajo çka për ne është e papranueshme janë raportimet për rritje të normave të interesit të kredive nga bankat, në kohën kur vendi ka një përqindje shumë të ulët të kredive të këqija. Gjithashtu, bankat edhe ashtu i kanë rritur fitimet e tyre nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të shërbimeve bankare, për të cilat nuk ka pasur asnjë reagim nga BQK-ja”, ka thënë Ahmeti.
Por, bazuar në të dhënat e BQK-së, edhe depozitat në qershor krahasuar me muajin e njëjtë të 2024-s, kanë shënuar rritje vjetore prej 766.4 milionë euro ose 12.4 për qind