Tre persona u rrahën mes vete në Dumnicë të Poshtme, një plagoset me armë zjarri e tjetri me sëpatë

Një përleshje e dhunshme ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në fshatin Dumnicë e Poshtme të komunës së Podujevës, ku tre persona janë përfshirë në një rrahje mes vete, që dyshohet se përfshiu edhe përdorim të armës së zjarrit dhe mjeteve të forta.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 20:44, kur për motive ende të panjohura tre të dyshuar kosovarë kanë hyrë në konflikt fizik. Gjatë përleshjes, njëri nga të dyshuarit është plagosur me armë zjarri, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime nga një mjet i fortë – konkretisht një sëpatë.

Të dy të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa i dyshuari që dyshohet se ka shtënë me armë zjarri është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe është në kërkim të policisë.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar si prova materiale: dy vetura (njëra e dëmtuar), një sëpatë, dy sprej, një shkop metali dhe tre zinxhirë dore.

Policia ka njoftuar se është në kontakt me prokurorin e rastit dhe hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat dhe motivet që çuan në këtë incident të rëndë.

Raporti i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:

VRASJE NË TENTATIVË, ARMËMBAJTJE PA LEJE & Pjesëmarrje në rrahje

Dumnicë e Poshtme, Podujevë / 02.08.2025-20:44. Janë arrestuar tre të dyshuar kosovarë pasi të njëjtit për motive të panjohura janë përfshirë në rrahje në mes veti, dhe dyshohet se gjatë përleshjes ka pasë edhe të shtëna me armë zjarri. Si pasojë, njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime nga një mjet i fortë-sëpatë, ndërsa i dyshuari tjetër është plagosur me armë zjarri. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari që ka shtënë me armë zjarri është arratisur nga vendi i ngjarjes. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar: dy vetura-njëra e dëmtuar, një sëpatë, dy sprej një shkop metali dhe tre zinxhirë dore. Lidhur me rastin është informuar e konsultuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

Lexo edhe:  Mërgimtarja cak i hajnave në Prizren, ia vjedhin arin në veturë, paratë dhe dokumentet e Zvicrës