Gjesti i një kalimtari nga Vushtrria prek imam Nehat Shehun: Lë letër falënderimi dhe 10 euro në xhami pasi ishte e pastër

Një gjest i thjeshtë, por i mbushur me sinqeritet e mirënjohje, ka prekur imamin e xhamisë së Dushkajës, Nehat Shehun, shkruan “Jepi zë”

Ai ka treguar se sot mbi tavolinën ku zakonisht ligjëron, kishte gjetur një letër të lënë nga një kalimtar rasti nga Vushtrria, i cili nuk ishte falur atë ditë në xhami, por kishte shprehur respektin e tij në një formë simbolike.

Në letrën e tij, kalimtari kishte lavdëruar pastërtinë e xhamisë dhe kishte lënë një dhuratë prej 10 eurosh si shenjë falënderimi. “Edhe pse nuk ishte falur sot me ne, gjesti i tij foli shumë”, ka shkruar imami Shehu, duke theksuar se kujdesi dhe përkushtimi ndaj xhamisë nuk kalojnë pa u vërejtur.

Ai gjithashtu ka kujtuar fjalët e Profetit Muhamed a.s.: “Kush nuk falënderon njerëzit, nuk e ka falënderuar Allahun.” Në këtë frymë, ai ka bërë një falënderim publik për kalimtarin e panjohur, duke e përfshirë edhe në lutjet e ditës.

“Zoti e shpërbleftë për sinqeritetin dhe mirësinë e tij”, ka përfunduar imami.

Lexo edhe:  Bateristi 23 vjeçar i grupit ADN, në mesin e viktimave të zjarrit në diskotekën në Koçan