Temperaturat deri 40 gradë “Pini ujë”, “bëni dush”, IKSHPK jep disa udhëzime për mbrojtje nga temperaturat e larta

Temperaturat e larta kanë përfshirë vendin tonë, ndërsa sot pritet që ato të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka dhënë disa rekomandime se si të mbroheni nga temperaturat e larta.

Udhëzime për mbrojtje nga të nxehtit dhe temperaturat e larta;

Vala e të nxehtit që po mbizotëron këto ditë mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të grupeve të cenueshme. Periudhat e gjata me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres në trup dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve apo vdekjeve nga ekspozimi ndaj nxehtësisë.

Veprimet që duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur:

Qëndroni larg të nxehtit: Shmangni daljet dhe aktivitetet e rënda gjatë orëve më të nxehta. Qëndroni në hije dhe kaloni 2-3 orë në një vend të freskët.

Mbajeni trupin të freskët dhe të hidratuar: Përdorni veshje të lehta (pambuku), bëni dush të freskët, lagni lëkurën dhe pini ujë rregullisht (1 gotë/orë – 2-3 litra/ditë).

Mbajeni shtëpinë të freskët: Ajroseni gjatë natës kur jashtë është më freskët. Ditën mbyllni dritaret dhe përdorni perde për të penguar rrezet e diellit.

Kujdesi për grupet e cenueshme:

• Për të moshuarit mbi 65 vjeç: Kontaktoni rregullisht sidomos ata me sëmundje kronike, paaftësi apo që jetojnë vetëm.

• Për fëmijët:   Mos i lini kurrë në automjete të parkuara. Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta (10:00–17:00).

Në rast emergjence: Kontaktoni mjekun më të afërt ose telefononi 194.

Lexo edhe:  Mitrovicasi dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke e varur vetën