Pas arrestimit të dy eprorëve policorë në Pejë, merret në pyetje edhe Sali Devolli – Nga kundërvajtje, rasti i rikthehet si hetim penal

Inspektorati Policor i Kosovës arrestoi dje dy zyrtarë të lartë të Policisë në Pejë, Nexhat Gutiq dhe Prekë Tuna, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në një rast të komplikuar, ku sipas burimeve të Gazetës Sinjali, i përfshirë rezultoi të jetë edhe Sali Devolli, një afarist nga Peja.

Sinjali mëson se mbrëmë, në orët e vona, Devolli është ftuar në Hetimet Rajonale në Pejë, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Rasti kishte ndodhur më 28 maj 2025, gjatë një aksidenti në rrugën “Mbretëresha Teutë”, kur Devolli dyshohet se kishte ndërhyrë dhe kishte penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës.

Veprimet e Devollit fillimisht ishin trajtuar si kundërvajtje, por pas zhvillimeve të fundit, rasti është rikualifikuar dhe tashmë është iniciar hetim penal.

Gazeta Sinjali do të vazhdojë të raportojë për prapaskenat dhe ndikimet që kanë pasuar arrestimet në hierarkinë policore në Pejë.

Lexo edhe:  Tragjedi në Tiranë: 52-vjeçari humb jetën pasi i bie në kokë bojleri