Dalin pamjet nga deponia e mbeturinave ku u gjet pa shenja jete foshnja e sapolindur

Gazeta Sinjali raportoi për një ngjarje tronditëse që është vërejtur nga një qytetar paraditen e sotme në lagjen Matiqan të Prishtinës, ku një foshnje e porsalindur është gjetur e braktisur në rrethana çnjerëzore.

Burime të Sinjalit bëjnë me dije se sot rreth orës 10:30, në rrugën “Butofci”, pranë deponisë së mbeturinave, një qytetar ka vërejtur një qese të zezë brenda së cilës dyshohej se ndodhej një foshnje e vdekur.

Lidhur me rastin janë deklaruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilët kanë konfirmuar se kanë nisur hetimet.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori kujdestar është njoftuar lidhur me rastin aktual, është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore për çështjen në fjalë”, thuhet në përgjigjen për Sinjalin.

Ndryshe, burime nga vendi i ngjarjes konfirmojnë për Sinjalin se njësia e emergjencës, pas mbërritjes në lokacion, ka konstatuar se foshnja e sapolindur, e gjetur e braktisur në një qese të zezë në zonën e deponisë në rrugën “Butofci”, Matiqan, ishte pa shenja jete.

Aktualisht, në vendin e ngjarjes po qëndrojnë njësia e hetimeve, krim-teknika dhe njësia mbështetëse. Ndërkohë, në lokacion kanë arritur edhe ekspertët e forenzikës, si dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, që pritet të ndërmarrë procedurat për ekzaminimin e trupit të pajetë të foshnjës.

Lexo edhe:  Kosovari ia kris rreth 10 herë kallashnikovit në dasmë, nuk e shijon festën pasi ndalohet për 48 orë