Kanosje ndaj policit në Malishevë pas paralajmërimit për tiketë, shoqërohet në stacion një person
Një qytetar në Malishevë është përfshirë në një incident me zyrtarë policorë, pasi kanosi njërin prej tyre gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, për shkak të një paralajmërimi për tiketë trafiku.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në rrugën “Imer Krasniqi”, ku patrulla policore ishte duke menaxhuar qarkullimin në një segment rrugor ku po zhvilloheshin punime.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari Shaip Krasniqi, 43 vjeçar, ishte duke lëvizur me biçikletë në pjesën e bllokuar të rrugës dhe nuk ka respektuar udhëzimet e policisë për të ndaluar.
Pas paralajmërimit për një tiketë, i dyshuari ka reaguar me fjalë kërcënuese ndaj zyrtarit policor dhe ka vazhduar lëvizjen. Më pas, ai është kontaktuar nga policia dhe është intervistuar në stacion.
Me vendim të Prokurorisë, rasti është inicuar si “Kanosje ndaj personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.