Tragjike: 24 vjeçari dyshohet se qëlloi veten me armën që po e provonte për ta blerë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur pasditen e së dielës në zonën malore mes fshatrave Lubizhdë dhe Skorrobisht të Prizrenit, ku një i ri ka humbur jetën në rrethana që kanë tronditur familjarët dhe komunitetin lokal.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, viktima është identifikuar si Anton Tunaj, 24 vjeç, i cili dyshohet se ka ndërruar jetë pasi është qëlluar me një armë zjarri që po e provonte për ta blerë nga njëri prej shokëve të tij.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 17:30, kur dy të rinj – S. J. dhe D. B. – së bashku me viktimën, ishin ngjitur në një zonë pyjore për të testuar një armë të tipit revole.

Siç merr vesh Gazeta Sinjali, ata kanë deklaruar para hetuesve se se Tunaj kishte shfaqur interesim për ta blerë armën.

Sipas versionit të tyre, pasi Tunaj kishte shkrepur tri herë në tokë për ta testuar armën, papritmas kishte drejtuar revolen nga koka dhe kishte shtënë mbi veten. Të tronditur, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe janë paraqitur në polici për të raportuar rastin.

Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitet policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar perimetrin. Ekipi mjekësor nga Qendra Emergjente ka konfirmuar vdekjen e të riut në vendngjarje.

Ndërkohë, njësitet e hetimeve dhe forenzikës, nën drejtimin e Prokurorit të Shtetit, janë duke kryer veprimet hetimore për të ndriçuar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje, përfshirë origjinën e armës dhe qëllimin e saktë të takimit.

Të dy të rinjtë janë momentalisht të shoqëruar dhe nën mbikëqyrje policore, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në koordinim të plotë me Prokurorinë.

Lexo edhe:  Albin Kurti emëron ministrin e ri të Mbrojtjes, ndërsa Mehaj me disponim jo të mirë

Kjo ngjarje e rëndë, e cila përfundoi me humbjen e jetës së një të riu, ka lënë pas pikëllim të thellë dhe shumë pikëpyetje që autoritetet pritet t’i ndriçojnë në ditët në vijim.