Dyshohet për mashtrim me veturë – qytetari pret tash 5 muaj që “shoku” t’i dalë zot marrëveshjes
Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Automjete të ndryshme po vidhen qoftë në parkingje apo hapësira tjera publike, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se një qytetar nga Prishtina, A.SH, 28 vjeçar, dyshohet se është viktimë e një rasti mashtrimi që lidhet me kompenzimin e një veture, që ai ka marrë nga një njohje personale, identifikuar si Ibrahim Haxhiu.
Sipas një të afërmi të denoncuesit, bëhet fjalë për një veturë të tipit Mercedes Benz E350, ngjyrë hiri, me targa, të cilën A.SH e kishte marrë në kompenzim rreth pesë muaj më parë. Që nga ajo kohë, personat e përfshirë nuk kanë mbajtur asnjë kontakt me të, nuk i janë përgjigjur thirrjeve telefonike dhe nuk kanë bërë asnjë lloj pagesë të dakorduar.
Burimet thonë se vetura në fjalë është shitur në disa duar dhe tashmë është identifikuar vendndodhja aktuale e saj. Ende nuk dihet nëse rasti është raportuar në Polici, por familjarët e të dëmtuarit thonë se ai po shqyrton mundësinë për të kërkuar drejtësi përmes institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.