Vatikani ndërpret sinjalin telefonik gjatë konklavës, masë për të ruajtur fshehtësinë e votimit për papën e ri

Vatikani ka njoftuar se do të ndërpresë sinjalin telefonik brenda territorit të qytetit-shtet, gjatë mbajtjes së konklavës për zgjedhjen e papës së ri. Megjithatë, kjo masë nuk do të prekë Sheshin e Shën Pjetrit.

“Të gjitha sistemet e transmetimit të sinjalit të telekomunikimit për telefonat celularë të pranishëm në territorin e Shtetit të Vatikanit do të çaktivizohen,nga ora 15:00 më 7 maj”, sipas një njoftimi zyrtar nga Vatikani.

Shteti i Vatikanit ka marrë këtë masë për të garantuar fshehtësinë e procesit të votimit që do të zhvillohet në Kapelën Sistine, ku të mërkurën do të mblidhen 133 kardinalë nga e gjithë bota për të votuar papën e ri që do të udhëheqë 1.4 miliardë katolikë.

“Sinjali do të rikthehet pas njoftimit për zgjedhjen e papës së ri”, thuhet në deklaratë.

Nga zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, është konfirmuar se pajisjet mobile nuk do të lejohen gjatë konklavës.

“Zgjedhjet do të kryhen në fshehtësi të plotë dhe kardinalëve do t’u kërkohet të lënë telefonat e tyre celularë kur të hyjnë në konklavë,” ka deklaruar ai.

Papa Françesku ndërroi jetë më 21 prill, duke i hapur rrugë një prej proceseve më të rëndësishme për Kishën Katolike.

Lexo edhe:  “Kom me t’shti n’burg”, “ N’fyt kom me t’pre budallicë”:Nënë e bir në Podujevë kërcënojnë njëri – tjetrin