Dyshohet se çmimi i kafesë u rrit në mënyrë joligjore, nis hetimi

Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës ka nisur hetimet lidhur me rritjen e çmimit të kafesë në vend, përfshirë edhe qytetin e Mitrovicës.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazeta “Jepi zë”, ky autoritet ka konfirmuar se është duke hetuar nëse pas këtyre ndryshimeve qëndron ndonjë marrëveshje e ndaluar ndërmjet kafiterive.

Hetimet kanë nisur pas dyshimeve për marrëveshje kartel – një praktikë e paligjshme ku operatorët ekonomikë bashkërendojnë çmimet për të shmangur konkurrencën. Autoriteti i Konkurrencës po mbledh të dhëna në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe lokalet në Mitrovicë, për të vlerësuar nëse kemi të bëjmë me vendime të koordinuara që bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Në rast se konstatohet bashkërendim çmimesh, autoriteti ka paralajmëruar masa ligjore ndaj ndërmarrjeve të përfshira. Rritja e menjëhershme e çmimit të kafesë, në disa raste deri në 2 euro për një filxhan, ka ngjallur reagime të shumta në publik dhe rrjete sociale.

Lexo edhe:  Policia e Kosovës fuqizohet me automjete të blinduara dhe autoblinda