14-vjeçari rrahet keq nga sigurimi i “Viva Fresh” në Fushë Kosovë – arrestohet 60-vjeçari
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Fushë Kosovë, ku një 14-vjeçar është bërë shënjestër e dhunës brenda një prej marketeve më të mëdha në vend.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur në ambientet e brendshme të “Viva Fresh”, ku një punëtor sigurimi, rreth 60 vjeç, e kishte marrë të miturin dhe e kishte futur në një zyrë të izoluar.
Aty, pa asnjë hezitim, e kishte goditur me grushte në bark dhe në pjesë të tjera të trupit.
Pamjet e sigurisë, të siguruara nga hetuesit, tregojnë qartë momentet kur i mituri pëson dhunë të rëndë nga punëtori i marketit, skenë që ka tronditur edhe vetë organet e rendit.
I mituri ka kërkuar ndihmë mjekësore për lëndimet e marra, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet për ngjarjen skandaloze po vazhdojnë me intensitet.