BE: Është në interes të Kosovës që të formojë shpejt institucionet – e rëndësishme edhe për Planin e rritjes
Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës edhe pas katër tentimeve po shihet si një pengesë serioze në rrugën evropiane të vendit. Ndonëse Bashkimi Evropian nuk komenton procedurat e brendshme të shteteve partnere, përfaqësuesit e tij vlerësojnë se krijimi i institucioneve është thelbësor për përparimin e Kosovës në procesin integrues dhe përfitimin nga Plani i Rritjes i BE-së.
Kështu tha sot zëdhënësi i BE-së për çështje të zgjerimit, Guillaume Mercier, i cili u shpreh se ndonëse nuk japin komente për zhvillimet e brendshme në Kosovë apo në ndonjë shtet tjetër partner, formimi i institucioneve është në interes të vetë Kosovës.
“Ne nuk do të komentojmë çështjet e brendshme të Kosovës, sikurse nuk i komentojmë as për cilindo vend tjetër partner. Ajo që mund të them është se gjithsesi është në interes të Kosovës që të formojë shpejt institucionet e saj. Kjo është e rëndësishme për arritjen e reformave evropiane dhe për të lëvizur përpara në këtë rrugëtim“, ka deklaruar ai.
Sipas tij, vonesat në konstituimin e Kuvendit po ndërlikojnë edhe mundësinë që Kosova të përfitojë nga fondet evropiane për zhvillim dhe integrim.
“Është e rëndësishme edhe për çështje të tjera siç është Plani i rritjes. Siç e dini, na duhet që të kemi Kuvendin e Kosovës të konstituar në mënyrë që të vazhdojmë punën në këtë drejtim po ashtu“, ka shtuar Mercier.
Kosova kishte qenë ndër vendet e para në rajon që ka miratuar Planin e Rritjes dhe Agjendën e Reformave, por pamundësia për të votuar marrëveshjen për mjetet dhe kredinë me BE-në në Kuvend, po e pengon përfitimin e pagesave të para. Kjo marrëveshje, që ka karakter ndërkombëtar për Kosovën, kërkon dy të tretat e votave për t’u ratifikuar – një gjë e pamundur pa funksionalizimin e Kuvendit.