Bie në pranga i dyshuari për dhunimin dhe grabitjen e 28-vjeçares në Malishevë
Pas një kërkimi intensiv dhe veprimesh hetimore të vazhdueshme, Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se është arrestuar personi i dyshuar për një rast të rëndë që tronditi qytetin e Malishevës – dhunimi dhe grabitja e një 28-vjeçareje.
I dyshuari, Etrit Jashari, 31 vjeçar nga Gjilani, i cili ishte në arrati që nga momenti kur viktima E.M (1997) raportoi rastin më 23 prill, është vënë në pranga nga njësitet policore.
Ai akuzohet se në ambientet e një moteli në Malishevë, gjatë një takimi me viktimën – me të cilën kishte një marrëdhënie dashurie – e kishte kërcënuar me jetën e familjarëve, i kishte marrë me forcë dy zinxhirë ari dhe kishte kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj.
Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar për intervistim në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit pritet të ndalohet për 48 orë.
Rasti është duke u trajtuar si “Dhunim” dhe “Grabitje”, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat.