Tentuan arratisjen me Audi A8 dhe armë në veturë – këta janë dy të rinjtë që ranë në rrjetën e Antidrogës në Prishtinë
Të martën u arrestuan e pesë personave në Prishtinë gjatë një aksioni të fuqishëm të njësive të Antidrogës – tre për substanca narkotike dhe dy të tjerë për armëmbajtje pa leje. Tani kemi siguruar identitetin e dy të rinjve që, përveçse u kapën me armë, dyshohen edhe për veprën penale të ndihmës ndaj kryerësve për kryerjen e një vepre penale.
Burimet e Sinjalit brenda Policisë bëjnë me dije se në pranga kanë përfunduar Ardit Kelmendi, 24-vjeç, dhe Lorand Murseli, 21-vjeç, të cilët ndodheshin në një veturë luksoze Audi A8, e cila ishte në vëzhgim nga Antidroga dhe njësi të tjera operative.
Ngjarja dramatike ndodhi rreth orës 15:00 në lagjen Kalabria, kur njësitet policore u përpoqën të ndalojnë veturën në fjalë.
Por në vend që të ndaleshin, shoferi – i identifikuar si Lorand Murseli – e goditi veturën zyrtare të Policisë, në tentativë për të ikur dhe për të penguar ndërhyrjen.
Pas ndalimit të tyre, gjatë kontrollit të bërë nga Policia, tek pasagjeri – Ardit Kelmendi – është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri (pistoletë), 27 fishekë dhe dy karikatorë, që dyshohet se i posedonte pa autorizim.
Të dy personat nuk janë të dyshuar vetëm për armëmbajtje pa leje. Sipas Policisë, ata pandehen edhe për veprën penale “Ndihmë ndaj kryerësve për kryerjen e veprës penale”, për çka janë marrë në pyetje dhe do të hetohen më tej.
Njësia e Forenzikës ka bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe sekuestrimin e provave materiale, ndërsa prokurori kujdestar ka urdhëruar ndalimin e tyre për 48 orë.
Sinjali do të vijojë të raportojë detaje të reja për këtë operacion dhe për tre personat e tjerë të përfshirë, që dyshohen për përfshirje në veprimtari narkotike.