Zbutet Faton Peci: Kosovës i duhet një qeveri me koalicion me shumicë shqiptare
Deputeti i Listës “Guxo”, Faton Peci, ka deklaruar se vendi ka nevojë për një qeveri me shumicë shqiptare dhe se nuk duhet lejuar që formimi i institucioneve të mbetet në varësi të komuniteteve jo-shumicë.
“Nuk e kemi luksin me lënë fatin e Kosovës në kapriçot dhe qejfet e disa komuniteteve jo-shumicë, flas për boshnjakë dhe të tjerë,” tha Peci në një intervistë për emisionin RTK Prime.
Ai theksoi se nevojitet një zgjidhje e përbashkët për të dalë nga situata aktuale institucionale.
Peci hodhi fajin për gjendjen e krijuar mbi partitë opozitare dhe Listën Serbe.
“Situatën e komplikoi opozita – LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe. Ata u rreshtuan vetëm për të votuar kundër, pa asnjë qëllim tjetër konstruktiv,” u shpreh deputeti i Vetëvendosjes.
Ai shtoi se Vetëvendosje nuk kishte parashikuar një situatë ku procesi i verifikimit të mandateve do të dështonte, duke pranuar se disa deputetë të kësaj partie nuk ishin të pranishëm në sallë gjatë seancës vendimtare.
“Ato momente kur dështoi verifikimi i mandateve, disa deputetë ishin ose në bife, ose në korridore,” tha Peci, duke e konsideruar këtë si një mësim për të ardhmen.