Në 2017-ën, Vetëvendosje nuk e kishte votuar Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për herë të pestë të hënën, pasi Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, kërkoi arritjen e një marrëveshjeje politike për emërimin e kryetarit të Kuvendit.
Deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, tha se partia e tij nuk e sheh të arsyeshme që në këtë seancë të propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, meqë partitë e tjera parlamentare kanë refuzuar ta mbështesin kandidaturën e saj.
Ironikisht, në vitin 2017, Vetëvendosje kishte kundërshtuar ashpër zgjedhjen e Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit.
Në atë kohë, lideri i LVV-së, Albin Kurti, kishte deklaruar se partia e tij nuk do ta votonte Veselin, duke theksuar se Vetëvendosje do të përfaqësonte ndryshimin demokratik.
“U posa e bëra regjistrimin si deputet në Kuvendin e Republikës dhe unë do të jem deputet i popullit që do ndryshime demokratike, ndryshime për drejtësi e zhvillim, për mirëqenie e punësim, për liri e demokraci,” kishte thënë Kurti.
Ndërkaq, Kurti kishte qenë i prerë se të gjithë 32 deputetët e Vetëvendosjes do të marrin pjesë në seancë por nuk do ta votojnë një figurë kontraverse.
“Të enjten, Kuvendi duhet ta zgjedhë një figurë politike që duhet të jetë sa më gjithëpërfshirëse e kurrsesi kontroverse,” kishte deklaruar Kurti.
Por, Veseli kishte marrë 62 vota nga 114 deputetë sa ishin prezent në sallë.
Kundër Veselit, votuan 52 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Po ashtu, Vetëvendosje së bashku me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishin bojkotuar fjalimin e parë të kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendi të Kosovës.