U.d i drejtorit të QMKP-së thotë se u sulmua nga doktori Gola, Prokuroria s’gjen elemente të veprës penale
Shpejtim Skivjani, ushtrues i detyrës së drejtorit të Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë, tha se është sulmuar fizikisht në vendin e tij të punës nga doktori Luan Gola të mërkurën.
Skivjani, menaxher i Prokurimit në QMPK, aktualisht është ushtrues i detyrës së drejtorit, ndërsa Luan Gola është drejtues i kabinetit të diabetologjisë së kësaj qendre.
Gola e ka mohuar ta ketë sulmuar Skivjanin, në një bisedë me Paparacin të enjten.
Prokuroria Themelore e Gjakovës nuk ka gjetur ende elemente të veprës penale, tha të enjten zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Elezaj tha se hetuesit policorë i intervistuan të dyja palët e përfshira.
“Policia menjëherë i është përgjigjur rastit, ku u intervistuan palët e përfshira (punonjës të kësaj qendre). Me të gjitha veprimet e ndërmarra dhe të gjeturat, është njoftuar prokurori kompetent, me vendimin e të cilit nuk është iniciuar rast, pasi aktualisht nuk janë gjetur elemente të veprës penale”, tha Elezaj.
U.d i drejtorit të qendrës Shpejtim Skivjani tha se është doktori Gola e ka sulmuar fizikisht të enjten në zyrën e tij.
“Një punëtore time e ka përzën nga zyra doktori [Luan Gola] dhe drejtoresha po më tregon se punëtoren e ka perzënë nga zyra doktori. Drejtoresha po me tregon që i ka thënë se e ka humbur meditjen dhe më informon drejtoresha, e thërras edhe puntoren ne zyren time të kuptojë çka është problemi, kur të nesërmen me daten 16 në orën 13:15 më thërret doktori Luan Gola. Ma qet puntoren nga zyra dhe vazhdon ma ngjetë me thonj në fyt, më kërcënon”, tha Skivjani në një bisedë telefonike për Paparacin.
Skivjani tha se pas ngjarjes së dyshuar i ka lajmëruar organet e rendit dhe se ka dhënë deklaratë në stacionin policor.
“E lajmërova rastin në polici, policia e mori deklaratën edhe prej punëtores, edhe prej meje, edhe prej doktorit edhe e morën në polici”, tha ai.
Ai dyshon se rasti nuk është iniciuar për vepër penale për shkak të ndërhyrjeve nga lartë.
“Po paska forca të mëdha në këtë shtet, nuk e di çka është duke ndodhë”, pretendoi u.d. i drejtorit të qendrës.
Ky version nuk është i vërtetë, sipas doktorit Luan Gola, ish-zëvendësministër i Shëndetësisë.
“Nuk ka pasur asgjë në atë rast. Kam qenë në stacion, e kam dhënë një deklaratë dhe kaq”, tha ai, derisa e mohoi të ketë sulmuar dikënd.
Lidhur me rastin, Paparaci ka dërguar të enjten pyetje me shkrim në drejtim të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.