Punëtori i kompanisë “Cakolli Group” rrëzohet nga disa metra lartësi në Gjilan, dërgohet me urgjencë në QKUK

Edhe pse rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendet e punës nuk janë të rralla, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët.

Një rast i tillë ka ndodhur sot në Gjilan, ku një person teksa po kryente punë në një objekt, është rrëzuar nga një lartësi dhe ka pësuar lëndime, raporton Sinjali.

Burimet brenda Emergjencës bëjnë me dije se viktima është një 21-vjeçar, punëtor i kompanisë “Cakolli Group SHPK”, i cili është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku tashmë po merr trajtim mjekësor

Sinjali mëson posa i riu ishte rrëzuar nga një lartësi prej rreth 4 metrash, duke humbur vetëdijen, për çka ishte dërguar me urgjencë fillimisht në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit, për t’u transferuar më pas në QKUK.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet nëse janë plotësuar apo jo kushtet e punës dhe masat e sigurisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi në vendin e punës”.

Lexo edhe:  Ministri Sveçla e vazhdon betejën me Fadil Kodrën, e shkarkon për herë të dytë