Lajm i mrekullueshëm: Arrihet shuma e parave që nevojitej për trajtimin e vushtrriasit që u plagos teksa “luftonte” me grabitësin serb
Një lajm i mirë ka ardhur sot për rastin e qytetarit Fahri Ademi, i cili kohë më parë kishte mbetur i plagosur rëndë gjatë kryerjes së detyrës si punëtor sigurimi ku u ballafaqua me grabitësit.
Organizatorët e aksionit humanitar kanë bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjetet sociale se shuma e nevojshme për trajtimin e tij është tashmë e plotësuar.
“Njoftojmë të gjithë qytetarët dhe ata që na dolën në ndihmë për grumbullimin e mjeteve për Fahri Ademin se shuma e kërkuar për shërimin e tij është plotësuar. Të gjithë njëzëri i dëshirojmë shërim të shpejtë. Jemi përjetë mirënjohës për kontributin tuaj,” thuhet në njoftim.
Ky solidarizim i qytetarëve dëshmon edhe një herë fuqinë e bashkimit përballë sfidave jetësore. Aksioni për mbështetjen e Fahri Ademit kishte mobilizuar një numër të madh qytetarësh dhe institucioneve lokale, përfshirë edhe Bashkësinë Islame në Vushtrri, e cila kishte organizuar mbledhjen e ndihmave në të gjitha xhamitë e qytetit.
Familjarët dhe organizatorët kanë shprehur falënderim të thellë për secilin që kontribuoi në këtë kauzë humane.