Vetëdorëzohet në Polici i kërkuari për rastin “VERA 2024”, ndalohet për 48-orë

Një prej të dyshuarve kryesorë në njërën nga dosjet më të mëdha për trafikim të drogës në Kosovë, ka rënë në prangat e Policisë. Pas disa muajsh në arrati, ai është vetëdorëzuar në kufi.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Klodian Qokli, një nga të përfshirët në rastin e koduar “VERA 2024”, është vetëdorëzuar dje në pikën kufitare në Vërmicë, ku është arrestuar në bazë të një urdhër-arresti aktiv, që ishte lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë.

Ky rast lidhet me operacionin e realizuar nga Policia e Kosovës në shtator të vitit të kaluar në fshatin Sferkë të Klinës, ku ishte zbuluar një plantacion i madh narkotikësh dhe ishin konfiskuar mbi 1 ton kanabis, me vlerë mbi 5 milionë euro.

Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, Qokli dyshohet se ka vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë, që tashmë janë të identifikuar nga autoritetet: Aleks Nimet Gërbi, Erion Etemaj, Eldi Mykaj, Engjellush Ibrahimi, Albano Saliu, Mirjon Qokli dhe Shkelqim Xhija– të gjithë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Pas vetëdorëzimit, Qokli është intervistuar nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Pejë, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Hetimet për këtë rast të profilit të lartë vazhdojnë, ndërkohë që Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar.

Lexo edhe:  Gruaja e mërgimtarit mitrovicas kthehet në muslimane në xhaminë e Shipolit