Besnik Bislimi nga sot është ”kryeministri” i ri i Kosovës

Besnik Bislimi do ta ketë pritur këtë ditë. Ai e ka në duar udhëheqjen e vendit – të paktën de jure – për një periudhë që nuk dihet se sa do të zgjasë.

Zëvendësi i Albin Kurtit do ta shohë (nëse nuk e ka parë tashmë) dorëheqjen e shefit të tij dhe të kolegëve të tjerë qeveritarë që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e fundit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet në orën 16:00 për t’i certifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, sipas rendit të ditës që KQZ-ja e ka bërë publik.

Anëtarët e kabinetit qeveritar, si ministrat – përveç Liburn Aliut të Infrastrukturës – do të duhej të jepnin dorëheqje dje. Kryeministri Albin Kurti gjithashtu. Nuk dihet ende nëse e kanë bërë këtë formalisht.

Këtë procedurë e parasheh ligji për Qeverinë.

“Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”, thotë pika e parë e nenit 26 të këtij ligji, në pjesën që përcakton papajtueshmërinë me funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe parandalimin e konfliktit të interesit.

Zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi do të jetë formalisht ushtrues detyre shefi i Qeverisë derisa të zgjidhet Qeveria e re

Lexo edhe:  EULEX: Të gatshëm të mbështesim Policinë e Kosovës në rast trazirash