Trazirat në veri të Kosovës, Gjermania ua lejon ushtarëve të saj në KFOR përdorimin e gazit lotsjellës

Bundestagu gjerman ka publikuar raportin vjetor për vitin 2024 për sa u përket Forcave të Armatosura të vendit.

Në raport, një pjesë e tij flet edhe për trupat gjermane të vendosura në Kosovë, gjegjësisht në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Duke u thirrur në trazirat që ndodhën më 2023 në pjesën veriore të vendit, ku mbi 90 ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar si pasojë e huliganizmit nga popullata lokale atje, Bundestagu ka marrë vendim që ushtarëve gjermanë t’u lejohet përdorimi edhe i gazit lotsjellës gjatë patrullimeve, raporton Klankosova.tv, e cila e ka parë raportin në fjalë.

Ky vendim u mor nga ministria gjermane e mbrojtjes pasi pati ushtarë që ishin ankuar se nuk po u lejohet përdorimi i këtij mjeti jo-vdekjeprurës si vetëmbrojtje.

“Një ushtar kritikoi faktin se njësia e tij nuk kishte mjete të mbrojtura mjaftueshëm për të qenë në gjendje të dislokohej me forcë të plotë në rast emergjence. Një tjetër ushtar u ankua se kompania nuk lejohej të përdorte gaz lotsjellës për vetëmbrojtje”, u tha në këtë raport.

Pas shqyrtimit të çështjes, u tha se ministria e mbrojtjes njoftoi se, “pas trajnimit në përdorimin e saj, ushtarët e kompanisë operative tani lejohen të mbajnë gaz lotsjellës në patrullë”.

Parlamenti gjerman e përshëndeti këtë vendim, duke thënë: “Në rast të situatave të rrezikshme që ndodhin papritur, përveç armëve të zjarrit duhet të jenë të disponueshme edhe armë jo-vdekjeprurëse, në mënyrë që të jenë në gjendje të përgjigjen në mënyrë proporcionale ndaj kërcënimeve specifike”.

Gjermania ka 25 vjet që merr pjesë në misionin e KFOR-it, duke e bërë atë misionin më afatgjatë të Bundeswehr-it.

Në raport u tha se intensiteti i misionit nuk është zvogëluar vitet e fundit, teksa u theksuar se situata ende mbetet e “rrezikshme, sidomos për shkak të tensioneve ekzistuese në zonën kufitare kosovaro-serbe”.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Klinë, dalin pamje nga vendngjarja

“Në vitin raportues ka pasur një rritje të ndjeshme të forcave nga 72 në 285 pjesëtarë të kontingjentit nëpërmjet krijimit të një kompanie të re operacionale. Ndër të tjera, ajo ka për detyrë të përgjigjet ndaj demonstratave të dhunshme dhe të plotësojë strukturat e sigurisë kombëtare”, u tha në raportin vjetor të Bundestagut gjerman.