Hamza: Jasharët nuk e mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, por dinjitetin e shqiptarëve

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka kujtuar me krenarin përvjetorin e “Epopesë së UÇK-së”.

Duke vlerësuar heroizmit dhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, ai ka thënë Jasharët nuk e mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë.

Ai ka bërë me dije se kjo familje legjendare ka mbrojtur dinjitetin e gjithë shqiptarëve.

“Nga sot, me krenari i kujtojmë ditët e lavdisë dhe krenarisë kombëtare, ditët e heroizmit dhe sakrificës së madhe të komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij. Jasharët nuk e mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, por e mbrojtën dinjitetin e shqiptarëve. Angazhimi i tyre për lirinë ishte një thirrje e vazhdueshme për rezistencë. Një thirrje për t’u ngritur kundër padrejtësive dhe për ta mbrojtur atdheun tonë. Ata, kësaj thirrjeje, i dhanë përgjigje jo me fjalë, por me jetët e tyre!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, UÇK-ja është vlera që duhet t’i flasë çdo gjenerate.

“Duke punuar me nder, me integritet e dinjitet për një Kosovë më të mirë, ne i nderojmë edhe të rënët për lirinë dhe pavarësinë tonë. Sot e përgjithmonë, UÇK-ja është vlera që duhet t’i flasë çdo gjenerate! Nder e lavdi për komandantin Adem Jashari dhe familjen Jashari!”, ka shkruar Hamza.

Lexo edhe:  Sekuestrohen dy vetura në magjistralen Mitrovicë-Vushtrri për shmangie të pagesës së doganës