Dyshimi për korrupsion e vepra tjera penale: Ndalohen për 48 orë kryeinspektori i punës, Hekuran Nikçi dhe Naim Shalaku

Prishtinë- Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se pas intervistimit janë ndaluar për 48 orë Hekuran Nikçi, Kryeinspektor i Inspektoratit Qendror të Punës në Republikën e Kosovës dhe Naim Shalaku, Ushtrues i Detyrës së Menaxherit të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin Qendror të Punës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare e vepra tjera.

Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se të enjten dy të dyshuarit janë intervistuar nga Sektori për Hetime Financiare – Njësia kundër Pastrimit të Parave në kuadër Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“…të cilët me Urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, janë ndalur për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se, i dyshuari Hekuran Nikçi i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës nga neni 218 të KPRK-së dhe Përdorimi i paautorizuar të pasurisë nga neni 420 të KPRK-së, ndërsa i dyshuari Naim Shalaku, për shkak të dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi nga neni 218 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se ndaj tyre, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesën për masën për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, tek gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda

Lexo edhe:  Prishtinë: 15-vjeçari tenton ta vras me thikë bashkëmoshatarin, i mituri në gjendje të rëndë