Vendosën letra për bojkotim të zgjedhjeve, këta janë dy të arrestuarit që u kapën në Hajvali të Prishtinës
Pengimi dhe ndikimi në përcaktimin e lirë të votuesit, ose parandalimi i ushtrimit të drejtës për të votuar, përbën vepër penale dhe sanksionohet me burgim.
Për një vepër të tillë, Policia ka nisur hetimin pas arrestimit të dy personave në Prishtinë, ditën e zgjedhjeve.
Rasti ka ndodhur te shkolla fillore “Shkëndija” në Hajvali, ku Policia fillimisht gjeti disa fleta me thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor dhe më pas arriti të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarit.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për A.Krasniqi, 27-vjeçar dhe A.Spahija, 23-vjeçar, të cilët më pas përfunduan në ndalim policor.
Në dëshmitë e tyre, dy të rinjtë kanë deklaruar se veprimet e tyre nuk kanë qenë të qëllimshme apo për të parandaluar dikë që të votojë, por e kanë shfrytëzuar si protestë.
Pasi Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për detajet e rastit, ka urdhëruar inicimin e hetimit për dy vepra penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” dhe “Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar”.