Ky është grupi i hajnave për vjedhjet e rënda në dy vetura në Fushë Kosovë
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet e armatosura, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për shtëpitë private, bizneset dhe jo vetëm. Cak i Policisë ka qenë së fundmi një grup i hajnave, tre prej të cilëve tashmë janë kapur – ndërsa në kërkim janë edhe dy të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.
Ky grup dyshohet për dy vjedhje të rënda që janë kryer në Fushë Kosovë në fillim të këtij muaji dhe para disa ditësh.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se tre personat që u kapën nga Policia janëHanefi Gashi, Valdet Durmishaj, dhe Faton Berisha.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit tashmë ka urdhëruar masën e ndalimit policor, teksa kërkimet për dy personat e tjerë që ndodhen në arrati po vazhdojnë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se ky grup po dyshohet se kanë arritur të thyejnë dy vetura dhe të avullojnë rreth 7 mijë euro para të gatshme dhe mijëra lekë shqiptare.
Si rezultat, Policia ka siguruar prova që dëshmojnë përfshirjen e të dyshuarve që kanë bashkëvepruar në kryerjen e kësaj vepre.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore brenda afatit ligjor.