VV gjobitet nga PZAP pas fyerjeve të Kurtit ndaj LDK-së
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për herën e dytë e ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje, për përdorim të gjuhës së urrejtjes nga kryetari i saj dhe kryeministri aktual, Albin Kurti.
LVV-ja është dënuar me 3 mijë e 500 euro, pas ankesës së LDK-së në PZAP
Në vendimin e publikuar të hënën më 20 janar thuhet:
“Me datë 17.01.2025 PZAP ka pranuar një ankesë nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën pretendon se në qytetin e Podujevës me datë 15.01.2025 në ora 18:00 në tubimin politik të subjektit Lëvizja Vetëvendosje kryetari i kësaj partie dhe kryeministri aktual gjatë fjalimit të tij ka bërë shkelje të rëndë të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, respektivisht nenit 34, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11 i cili shprehimisht thotë “përdorimi i gjuhës në formën e shkruar ose gojore, që nxit ose provokon ose që mund të nxisë ose provokojë, një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave të tjerë ose pasurisë, ose e cila nxit apo mund të nxisë urrejtje kundrejt të tjerëve ose duke publikuar ose përdorur fotografi, simbole ose çfarëdo materiali tjetër që ka ose mund të ketë ndikim të tillë”, thuhet në arsyetimin e PZAP
Kreu i LVV-së e ka fyer emrin Lidhjes Demokratike të Kosovës duke iu referuar si “Lydykyhi” në një tubim zgjedhor të mbajtur në Podujevë.
Kurti, akronimin e LDK-së e quajti si “lodhja dokrratike e Kosovës”.
“Të dashur qytetarë të Llapit, LYDYKYHI-Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është Lidhja, por është lodhje, dhe nuk është demokratike por është dokrratilke. E në përgjithësi mendermethanë opozita po i japin zor mule knej për vend të dytë, poget e kanë pa edhe ata vet që s’ka ymyt, se qashtu qysh Shpejtimi i ka myt, Vetëvendosja po i myt cep më cep në Republikën e Kosovës.”, ka thënë Kurti.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, para disa ditësh po ashtu e kishte gjobitur VV-në me 3 mijë euro, për shkak të gjuhës së përdorur nga Kurti në tubimin zgjedhor të mbajtur në Pejë