Fëmija 4-vjeçar sulmohet nga një qen, baba “nxjerr hak”, e çon pronarin në Polici

Sulmet e qenve endacakë jo vetëm në Prishtinë por edhe në qytete tjera janë në rritje. Shumë herë qytetarët e kanë pësuar keq nga këto sulme, e në shumë raste viktima kanë qenë edhe fëmijët. Një rast i tillë ka ndodhur edhe pasditen e së dielën në Korenicë të Gjakovës, por këtë herë jo nga një qen endacak.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se një fëmijë 4-vjeçar është sulmuar nga qen, i cili dyshohet se kishte ikur nga pronari që disa ditë. Vogëlushi është pranuar në këtë qendër me lëndime në kokë e fytyrë, si dhe në disa pjesë tjera trupore.

Posa fëmija ka marrë trajtimin mjekësor, babai i tij e ka njoftuar edhe Policinë, me ç’rast pronari i qenit është intervistuar në cilësinë e të dyshimit. Bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve policorë, qeni kishte arritur të largohet dhe nuk e ka gjetur që disa ditë.

Si rezultat i denoncimit të rastit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të Përgjithshëm”.

Lexo edhe:  Ky është gjilanasi i dyshuar për dhunimin e 20-vjeçares në Ferizaj, e pranon veprën e rëndë