EULEX-i përforcon njësitin policor të specializuar në Kosovë
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka thënë të martën se është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të tij nëpërmjet dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.
Sipas njoftimit, këta policë do të punojnë “krah për krah me NJPS-në e siguruar nga Policia e Polonisë, për ta përmbushur mandatin e misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën dhe për të garantuar siguri për të gjitha komunitetet”.
Ky njoftim u bë një ditë pasi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca ushtarake perëndimore është në kontakt me zyrtarët në Prishtinë dhe ata në Beograd që të sigurohet që të mos ketë destabilizim në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare që mbahen më 9 shkurt.
Rutte e ka quajtur situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë si “çështje kyç në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Forcat shtesë të EULEX-it pritet të arrijnë në Kosovë gjatë ditëve në vijim si dhe sipas njoftimit, do të kryejnë patrullime të dukshme, raporton REL.