Tmerrohet familja në Skenderaj: Vajza e mitur që u zhduk dyshohet se u shfrytëzua për prostitucion

Grupet e ndryshme kriminale janë mjaft aktive në shfrytëzimin e kategorive të caktuara, kryesisht vajzave dhe të miturve, për trafikim me qenie njerëzore. Trafikantët, viktimat e tyre i shfrytëzojnë kryesisht për përfitime apo me qëllim të shfrytëzimit seksual, përkatësisht shfrytëzimit për prostitucion. Për një rast të tillë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pasi një person e raportoi vajzën e tij 16-vjeçare si të zhdukur.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy persona kanë përfunduar në prangat e Policisë dhe kanë dhënë detajet se si u zbulua rasti.

Fillimisht Sinjali mëson se një burrë nga fshati Makerrmal i Skenderajt, para katër ditësh ka raportuar se vajza e tij ishte larguar nga shtëpia dhe nuk kishte asnjë informacion për fatin e saj. I frikësuar se i ka ndodhur diçka, prindi ka vendosur të kërkojë ndihëm nga Policia duke e denoncuar rastin.

Në deklaratën e tij, ai ka rrëfyer se kjo nuk është hera e parë që po përballet me një situatë të tillë. Bazuar në dëshminë e dhënë para hetuesve, burimet thonë se e mitura ishte larguar edhe para një viti nga shtëpia e saj.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur të arrestojë dy persona, një 19-vjeçar dhe një 24-vjeçar që dyshohen të jenë përfshirë në këtë rast. Prokurori i Shtetit urdhëroi ndalimin e tyre për 48 orë, mbi dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion”.

Në anën tjetër kërkimet për të miturën kanë vazhduar, derisa e njëjta është gjetur në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë dhe prej aty është dërguar në Emergjencë në Mitrovicë për t’iu nënshtruar kontrolleve, e më pas pritet të jap deklaratë para hetuesve.

Lexo edhe:  Mbyllet "Fadil Vokrri", do të rinovohet plotësisht fusha

Sinjali mëson po ashtu se tashmë kanë dëshmuar disa persona në lidhje me këtë rast dhe së shpejti pritet të merren edhe veprimet e tjera për zbardhjen në plotni të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.