Arrihet limiti prej 6 milion eurove në subvencionimin e paisjeve efiçiente, ndalohet aplikimi!
6 ditë pasi që Ministria e Ekonomisë ka hapur thirrjen për subvencionimin e efiçiencës së energjisë, përkatësisht mbështetjen e qytetarëve në blerjen e paisjeve me nivel të lartë të efiçiencës, është arritur limiti i vlerës së subvencionimit të planifikuar.
Ministria e Ekonomisë, sipas njoftimit të vendosur në sistemin elektronik “EKosova” tashmë ka ndalur aplikimin e qytetarëve për subvencionim në kuadër të masës emergjente, raporton 02Press.com
Ky është numri i qytetarëve që kanë aplikuar për subvencionim nga Ministria e Ekonomisë
Ndryshe, aplikimi për subvencionim ka qenë i ndarë në dy faza dhe në të dy fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova.
Afati i fundit për aplikim për fazën e parë ishte paraparë në 14 ditë kalendarike nga dita që hapet thirrja, pra deri me datën 20 Tetor 2022 ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë Thirrje.
Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është 21 ditë kalendarike nga dita e aplikimit në fazën e parë.
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se aplikimet e pranuara do të shqyrtohen bazuar në parimin “KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI”, andaj inkurajohen qytetarët të aplikojnë sa më herët.
Procedura e vlerësimit të aplikimeve
Aplikacionet e pranuara nga faza II do të vlerësohen nga një Komision i Ministrisë së Ekonomisë, i cili shqyrton nëse dëshmitë e ngarkuara në platformën e-Kosova janë konform kritereve të kësaj thirrjeje. Vetëm aplikimi që plotëson të gjitha kriteret do të pranohet për përpunim të mëtejmë.
E drejta për ankesë
Aplikantët të cilët vlerësojnë se aplikimi i tyre nuk është vlerësuar drejtë nga Komisioni përkatës i Ministrisë, mund të ushtrojnë të drejtën e Ankesës në afat prej 30 ditësh, konform Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA). Ankesa i drejtohet Ministrisë së Ekonomisë si autoritet që ka publikuar Thirrjen në emailin në vijim: [email protected]