Shifra shqetësuese në Raportin e Progresit: 68% më shumë kërkesa për azil nga kosovarët në 4 muajt e parë të 2024
Raporti i Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian vë në pah kërkesën për azil në shtetet e Bashkimit Evropian, e cila duket të jetë rritur për 68 për qind vetëm në katër muajt e parë të vitit 2024, në krahasim me këtë periudhë nga viti 2023.
Sipas raportit, në vitin 2023 për azil kanë aplikuar tre mijë e 45 qytetarë, rënie e lehtë kjo në krahasim më 2022.
Por këto shifra, theksohet se janë rritur për 68 për qind në katër muajt e parë të vitit 2024. Për këtë, raporti thotë se nga autoritetet në Kosovë është treguar përgjegjshmëri për adresimin e këtij trendi.
“Sipas Eurostat, 3 mijë e 45 qytetarë nga Kosova kanë aplikuar për azil në vendet e BE-së gjatë vitit 2023(rënie e lehtë prej 4% krahasuar me 3 mijë e 185 në vitin 2022). Që nga hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët me pasaporta të Kosovës një janari 2024, 1 mijë e 960 kërkesa për azil janë paraqitur te shtetet e BE-së në katër muajt e parë të vitit 2024 (plus 68% krahasuar me të nëjtjën periudhë të vitit 2023). Autoritetet e Kosovës kanë treguar përgjegjshmëri në monitorimin dhe adresimin e këtij trendi. Kjo përpjekje duhet të vazhdojë duke ruajtur fushatën e komunikimit mbi të drejtat dhe detyrimet, kontrollet e përmirësuara në nisje dhe duke u angazhuar me shtetet anëtare më të prekura të BE-së.” – thuhet në raport