Të rinjtë sulmojnë me gurë trenin Prishtinë-Pejë, Trainkos: Jemi në rrezik

Ndërmarrja publike Trainkos Sh.A. deklaron se po ballafaqohet vazhdimisht me aktivitete të rrezikshme.

Një incident i fundit ndodhi të shtunën (dje) në segmentin hekurudhor Prishtinë-Pejë, ku një grup të rinjsh gjuajtën me gurë trenin 761.

“Ky akt i dhunshëm është një dëshmi e qartë se ne, si ndërmarrje dhe si qytetarë që përdorim këtë transport, jemi në rrezik.

Pamja e këtyre vagonëve lë përshtypjen se gjenden në vatra të luftës, ndërkohë që këta vagonë kanë ardhur në vitin 2017 të rifabrikuar me një kosto prej 1.2 milion eurosh, mjete këto të taksave të punonjësve të ndërgjegjshëm që e duan shtetin. Dëmtohen nga persona të pa ndërgjegjshëm, duke shkatërruar pasurinë publike dhe shtetërore” thuhet në njoftim të Trainkosit.

“Defektet në lokomotivat tona, si ajo e datês 25.10.2024 te treni 761 dhe datës 14.10.2024 në linjën Prishtinë-Pejë, në kilometrin 37+500, si dhe vendosja e barrikadave me gurë në hekurudhë, i konsiderojmë akte sabotimi me elemente terroriste. Këto veprime synojnë të shkaktojnë frikë, dëme dhe pengesa të rënda për përdoruesit e transportit hekurudhor.

Ne jemi të vendosur të ruajmë integritetin tonë dhe do të vazhdojmë me reforma në brendësi të ndërmarrjes. Nuk do të biem pre e këtyre shantazheve. Është e rëndësishme të theksojmë se këto veprime nuk cenojnë vetëm Trainkos-in, por rrezikojnë gjithashtu sigurinë kombëtare dhe interesin publik”, përfundon njoftimi.

Lexo edhe:  Burri kosovar raporton në Polici se i ka humbur gruaja