Tentim vrasja te ‘Lit’: Shefi i sigurimit dhe menaxheri rrezikojnë paraburgimin, pamjet e kamerave u fshehën
Dy nga 13 të arrestuarit për rastin e gjuajtjes me armë dhe rrahjes te diskoteka ‘LIT’ rrezikojnë të përfundojnë në paraburgim. Shefi i sigurimit është i dyshuari kryesor, që u arrestua bashkë me punëtorë të sigurimit e menaxherin – ndaj të cilëve Prokuroria Themelore në Prishtinë, tashmë ka ushtruar kërkesë për masën e sigurisë.
Seanca dëgjimore tashmë ka filluar dhe të dyshuarit kanë dalë përballë gjyqtarit të procedurës paraprake.
Sinjali ka mësuar se ndaj shefit të sigurimit,Fatlum Verbovcit, i dyshuar për veprat ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve’ dhe menaxherit Vigan Bekqeli, i dyshuar për veprën penale ‘Manipulimi me prova’ është kërkuar masa e paraburgimit.
Ndërsa ndaj të dyshuarve të tjerë Hekuran Demaj, Hamdi Obertinca, Daut Halili, Bislim Thaqi, Ilir Gara, Burim Verbovci, Fisnik Gashi, Adem Azemi, Liridon Berisha dhe Gani Miftari – të përfshirë në rrahje, është bërë kërkesa për arrest shtëpiak.
Kurse ndaj një personi tjetër që dyshohej për përfshirje në rast, Prokurori i Shtetit është tërhequr dhe s’ka kërkuar farë masë sigurie.
Verbovci dyshohet se ka gjuajtur me armë dhe ka lënë të plagosur njërin nga viktimat, ndërsa personi tjetër që mbeti i lënduar është sulmuar me mjete të forta nga të dyshuarit e tjerë.
Pamjet e tentim vrasjes dhe sulmit brutal që u kapën nga kamerat e sigurisë dyshohet se u ‘avulluan’ pasi i dyshuari Bekqeli, pas incidentit i ka larguar – me qëllim fshehjen e provave.