Alarmante: Për shtatë muaj evidentohen 1.530 raste të reja me kanceri në Kosovë

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave dhe të Klinikës së Onkologjisë tregojnë për rritje retroaktive të rasteve me sëmundje malinje.

E ekspertë shëndetësorë theksojnë se, krahas faktorëve gjenetikë, rritjes së numrit i kontribuojnë edhe abuzimi me duhan, ndotësit e ajrit dhe të ushqyerit joadekuat

Brenda shtatë muajve të këtij viti, 1 mijë e 530 raste të reja me sëmundje malinje janë evidentuar në të gjithë Kosovën.

Teksa kjo shifër është e përafërt me atë të periudhës së njëjtë të një viti më parë, të dhënat e Agjencisë së Statistikave flasin për rritje retroaktive të rasteve me kancer. Bazuar në të dhënat e ASK-së, më 2023 janë regjistruar 4 mijë e 165, teksa më 2022, 3 mijë e 110 raste të reja me kancer.

Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë, ka paralajmëruar se numri i rasteve të reja gjatë këtij viti mund të jetë më i lartë sesa që është evidentuar në klinikë.

“Deri në këtë muaj, ne kemi identifikuar rreth 1530 raste. Ky numër mund të jetë më i lartë dhe me krahasu me vitin e kaluar, kemi një rritje të lehtë, meqenëse 3 muajt e parë të këtij viti pati një ngritje të rasteve”, ka thënë Kurteshi.

Ai bëri të ditur se në Onkologji aktualisht marrin trajtim afro 5 mijë persona të prekur nga kanceri.

Kurtishi ka theksuar se faktorët gjenetikë dhe ata të jashtëm vazhdojnë të jenë shkaktarët kryesorë për shfaqjen e sëmundjeve malinje, teksa si kontribuues ka numëruar abuzimin me duhan dhe me alkool, ekspozimin e tepërt në rreze të diellit, ndotjen e ajrit dhe ushqimin joadekuat.

Konsumimi i duhanit konsiderohet si një prej shkaktarëve kryesorë të shfaqjes së kancerit në mushkëri.

Lexo edhe:  Garat ilegale vazhdojnë: Pamje të organizimit të mbrëmshëm në autostradë, ‘shtyhen’ dy vetura

Pulmologu Besim Morina është shprehur se më të rrezikuarit janë ata që konsumimin e duhanit e nisin në moshë të re.

“Nëse një i ri fillon duhanin rreziku për me u zhvillu kanceri është shumë ma i madh nëse veç ai pi duhan nga mosha e re ose e rritur. Është shumë me rëndësi marrja e politikave agresive që e zvogëlojnë pirjen e duhanit dhe në këtë mënyrë zvogëlohet shkaktari kryesor i kancerit të mushkërive”, ka thënë Morina.

Ai ka bërë thirrje për kujdes edhe në ushqim, tek ka thënë se kanceri i mushkërive është ndër më agresivët dhe me shkallë më të lartë vdekshmërie.

“Njerëzit që kanë kancer në mushkëri, shumica prej tyre e kanë prognozën shumë të keqe dhe përfundojnë me vdekje, për dallim prej llojeve të tjera të kancerit ku ka prognozë më të mirë. Kjo e bën më vdekjeprurës dhe kjo i shkakton këto statistika të këqija”, ka shtuar ai.

Kanceri i mushkërive është më i përhapuri në Kosovë, pas kancerit të gjirit. Deri në shtator, në Klinikën e Onkologjisë janë identifikuar rreth 190 raste të reja me këtë lloj të kancerit./Koha