Flasin nga Emergjenca për aksidentin në Veternik: Gjashtë nga të lënduarit po trajtohen në QKUK
Një aksident trafiku ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Veternik, ku janë përfshirë mbi 10 automjete, raporton Sinjali.
Sipas pamjeve, aksidenti duket i rëndë dhe që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe se janë lënduar 11 persona.
Sinjali ka kontaktuar edhe me Drejtorin e Klinës Emergjente, Naser Syla, ku tha se në QKUK po trajtohen vetëm gjashtë persona dhe se janë jashtë rrezikut për jetën.
“Vetëm gjashtë persona janë ardhë deri tani te ne nuk kanë lëndime të rënda, gjendja e tyre është stabile dhe se po ekzaminohen tek ne në emergjencë”, tha Syla.
Ndërkaq, lajmin për aksidentin e rëndë në Veternik e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se në Veternik ka ndodhë një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një kamion dhe 11 automjete. Bazuar në të dhënat e deritanishme, si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar 11 persona”, ka thënë ajo.