Kusari-Lila: Do të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radoiçiqit, do të dalin dhuratat për fëmijët e tij

Mimoza Kusari-Lila e ka akuzuar opozitën për bashkëpunim me Millan Radoiçiqin dhe ka thënë se do të dalin fotografitë e eksponentëve të opozitës në përurimin e shtëpisë së terroristit serb të veriut.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se pritet të dalin dhuratat për fëmijët e Radoiçiqit.

“Dëgjoni, kjo që ka dal dje është fabrikim i plotë. Imagjinojeni kur të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radoiçiqit. Imagjinojeni kur të dalin dhuratat për fëmijët e Radoiçiqit nga zyrtarë e nga udhëheqës. Imagjinojeni kur të dalin kush e ka vizitu e kush ka pasur biznese”, ka deklaruar ajo.

Kusari-Lila ka kujtuar kohën e bashkëpunimit të partive aktuale të opozitës me Listën Serbe.

“Kur po folni për këto bashkëpunime me lejoni të ju rikujtoj memorien pak… Time [Kadriaj, v.j], pjesa e qeverisë në të cilën ke qenë ti, ka qëndru këtu në Kuvend shtatë orë e ka pritur Listën Serbe me ardhë prej Beogradit me ti jep votat që Ramush Haradinaj me u bë kryeministër. A të kujtohet se ke votuar në orët e vona të shtatorit të vitit 2017 për me ardhë Vuçiqi që me mujtë Ramushi me u bë kryeministër. A të kujtohet?”, ka pyetur ajo, deputetët e opozitës.

Ajo ka thënë se incizimet janë të fabrikuara.

“I thirrni bashkëpronarët e Millan Radoiçiqit që me i publiko këto incizime. A e dini ju që Sllavko Simiq prej qershorit të vitit 2022 nuk është i ulur në këto ulëse”, ka thënë Kusari-Lila.

Lexo edhe:  Arrestohet edhe një ish-polic serb në Mitrovicë