Prishtinë: E mitura u sulmua seksualisht në autobusin e linjës 4, i moshuari e preku në organin gjenital

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë të miturat, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, e shumë herë edhe të moshuar, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tmerrshëm dyshohet të ketë ndodhur së fundmi në autobusin 4 të trafikut urban në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka sulmuar seksualisht një vajzë të mitur.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se viktima bashkë me një dëshmitar e ka raportuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer se si u përballë me një të moshuar, derisa ishte në autobus.

Sipas dëshmisë së saj, teksa i moshuari ka qenë i ulur në ulësen afër saj, i njëjti e ka prekur në organin gjenital, duke i shkaktuar shqetësim e frikë.

Përballë kësaj situate, viktima është larguar menjëherë, duke kërkuar që të dalë nga autobusi.

Me rastin e denoncimit, ka dhënë deklaratë edhe një dëshmitare.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale ‘Sulm seksual’ dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për identifikimin e të dyshuarit.

Lexo edhe:  Pranoi 7 milionë euro në xhirollogari, 42 vjeçari në Turqi ia ktheu bankës: Është haram