Deputeti u VV-së: Nga e hëna, nxënësja me shami kthehet në shkollë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, ka njoftuar se nga e hëna, nxënësja me mbulesë do të vazhdojë mësimin në Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë.
Sipas Agushollit, bashkë me të, mësimin do ta vazhdojnë të gjitha vajzat me mbulesë, të cilave sipas tij, u është mohuar kjo e drejtë që një kohë të gjatë.
“Sipas interpretimit të MASHT-it, nuk ka asnjë ndalesë që vajzat me shami të pengohen nga e drejta e tyre për arsimim”.
“Falënderoj Ministrinë e Arsimit për këtë vendim të drejtë. Shpresoj që raste të tilla të mos përsëriten kurrë më”, shkroi Agusholli.
Tutje, ai tha se sot i erdhi fundi “padrejtësive” dhe se sipas tij, problemet duhet të zgjidhen nga koka e jo nga bishti.