Plas sherri në Industrinë Metalike të Kosovës, punëtori kërcënon menaxherin – kapet me armë ilegale

Një incident që dyshohet se ndodhi në Industrinë Metalike të Kosovës (IMK), që ndodhet në Ferizaj, pasoi me një aksion të Policisë, që rezultoi me arrestimin e një personi.

I dyshuari që përfundoi në pranga të Policisë është punëtor i kësaj fabrike, i cili u fut në telashe mëngjesin e djeshëm

Siç merr vesh Sinjali, punëtori i IMK-së u prangos nën dyshimet për kanosje, armëmbajtje pa leje dhe posedim të narkotikëve.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se sherri që dyshohet se ndodhi brenda objektit lidhet me një konflikt të punëtorit të dyshuar me menaxherin e tij.

Për motive që sipas informacioneve të para lidhen me punën, i dyshuari e ka kërcënuar menaxherin e tij, e madje edhe ka tentuar që ta sulmojë, por që kanë ndërhyrë kolegët e tjerë.

Të njëjtat burime thonë se gjatë incidentit, i dyshuari e ka ekspozuar edhe një armë, e cila gjatë bastisjeve në shtëpinë e tij, u sekuestrua nga Policia.

Përveç revoles, Sinjali ka mësuar se te i dyshuari janë gjetur edhe dhjetëra fishekë e po ashtu edhe një sasi e dyshuar narkotike.

Me t’u përfunduar aksioni, i dyshuari është shoqëruar në stacion, ku është intervistuar lidhur me rastin nga hetuesit policorë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Lexo edhe:  Digjet një veturë te Aeroporti i Prishtinës, pamje nga vendi i ngjarjes