Jep dorëheqje nga Policia, Ibishi: Qeveria t’i lërë hajgerët dhe t’i përmirësojë kushtet për Policinë

 

Polici Bekim Ibishi ka dhënë dje dorëheqje nga detyra e tij, pikërisht në ditën kur Policia e Kosovës i bëri 25 vjet nga themelimi i saj.

Ai i ka treguar edhe arsyet e tij për largimin nga Policia.

“Policia e Kosovës po përballet me sfida serioze, ku pjesëtarët e saj detyrohen të mbulojnë vetë shpenzimet për rrugën dhe ushqimin e përditshëm, apo qysh thotë populli “Me hi borxh me majtë punën e shtetit”.

“Kjo situatë, bashkë me mungesën e sigurimeve shëndetësore dhe kushtet e vështira të punës, e bën të pamundur për mua të vazhdoj më tutje”, ka shkruar Ibishi në profilin e tij në Facebook.

Shkrimi i plotë i Ibishit pa ndërhyrje:

Në 25 vjetorin e Policisë së Kosovës ju njoftoj se kam dhënë dorëheqje nga policia

Të nderuar,

Me këtë letër ju njoftoj për dorëheqjen time nga Policia e Kosovës. Kam pasur një nder të madh të jem pjesë e këtij institucioni që përfaqëson trashëgiminë kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por fatkeqësisht kushtet aktuale më kanë shtyrë të marr këtë vendim.

Policia e Kosovës po përballet me sfida serioze, ku pjesëtarët e saj detyrohen të mbulojnë vetë shpenzimet për rrugën dhe ushqimin e përditshëm, apo qysh thotë populli “Më hi borxh me majtë punën e shtetit”.

Kjo situatë, bashkë me mungesën e sigurimeve shëndetësore dhe kushtet e vështira të punës, e bën të pamundur për mua të vazhdoj më tutje.

Jeta e një polici patrulle vlerësohet me një shtesë minimale për rrezikshmëri vetëm me 60 euro.

Qeveria e Kosovës t’i lërë hajgaret me një anë dhe t’i përmirsojë kushtet për Policinê e Kosovës dhe qytetarët e saj.

I falënderoj të gjithë kolegët e mi për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë kësaj kohe dhe uroj që kushtet të përmirësohen për të gjithë ata që vazhdojnë të shërbejnë.

Lexo edhe:  Dy persona tentojnë të futen në dhomën ku po trajtohet “Italiani”, intervenon Policia

Me respekt, Bekim Ibishi