Klientë të TEB-it deponojnë 100-she e 2-she false, banka e denoncon rastin në Polici
Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po ‘tmerron’ të gjithë është ajo 2 euroshe.
Një rast i tillë është raportuar së fundmi nga një zyrtare e bankës TEB, e cila ka raportuar për deponimin e disa kartëmonedhave të dyshuara false nga klientë të ndryshëm gjatë muajit gusht.
Sinjali ka mësuar se bazuar në denoncimin e saj, bëhet fjalë për disa 100-she dhe monedha metalike, 1-she e 2-she, nën dyshimin se janë të falsifikuara.
Paratë e deponuara janë konfiskuar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.
Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.