“Salih Sekiraqa po qëndronte me djalin e tij 12-vjeçar në lokal…”- çka u deklarua në seancë për konfliktin Capa-Sekiraqa

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për pesë të dyshuarit të përfshirë në gjuajtjen me armë në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ në Aktash të Prishtinës, ku mbet një i vrarë dhe disa të plagosur.

Gazeta Insajderi raportoi se gjykata të martën ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Korab Gashin, Valdrin Ademin, Robert Llumnicën, Salih Sekiraqën dhe Fatos Abazin.

Gjykimi u mbajt përbrenda hapësirave të QKUK’së.

Në aktvendimin të cilin e ka parë Insajderi, thuhet se avokati i Salih Sekiraqës, Naser Sopjani, ka deklaruar se ky i fundit ishte duke qëndruar në lokal me të birin e tij 12-vjeçar në natën kritike.

“E kundërshtojmë kërkesën e prokurorisë, pasi që nuk ekziston asnjë nga kushtet e caktuara që flasin se Salih Sekiraqa, fillimisht të ketë kryer ndonjë vepër penale. Përkundrazi, në këtë rast penal, ai mund të jetë vetëm në cilësi të të dëmtuarit, sepse i njëjti është sulmuar në befasi, në lokalin e tij, ku ka qenë i ulur në tavolinë, së bashku me djalin e tij 12 vjeçar dhe është sulmuar me armë zjarri nga persona të panjohur me armë AK47 në një distancë jo më larg se 2 metra, derisa Salihu ka qenë ulur në tavolinë”, citohet të ketë thënë në aktvendim mbrojtja e Sekiraqës.

Në anën tjetër, avokati Adhurim Gashi, pjesë e mbrojtjes së Valdrin Ademit, ka refuzuar kërkesën e prokurorisë dhe ka kërkuar që klienti i tij të trajtohet në spital. Tek pastaj t’i vendoset një masë alternative sikurse është arresti shtëpiak.

Mbrojtja e të pandehurit Korab Gashi ka pretenduar se ky i fundit ka qenë vetëm palë e dëmtuar në natën kritike.

“E kundërshtojmë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, me arsyetim se për klientin tim është bërë kualifikimi gabimisht i gjendjes faktike dhe me këtë rast, edhe kualifikimi gabim i veprës penale. Të njëjtën kërkojmë nga gjykata ta refuzojë si të pabazuar. Po ashtu, deklarojmë se klienti im në këtë rast është palë e dëmtuar në ditën dhe datën e cekur si në kërkesë të prokurorisë”, citohet të ketë thënë avokatja Donikë Krasniqi në aktvendimin që ka parë Insajderi.

Lexo edhe:  Parandalohet kontrabandë me mallra në Leposaviq dhe me dru në Podujevë

Edhe avokati i Robert Llumnicës, Arlind Jupolli, ka deklaruar para trupit gjykues se klienti i tij është vetëm viktimë në ngjarjen tronditëse të së dielës.

Po ashtu mbrojtja e Fatos Abazit ka pretenduar se ky i fundit ka qëlluar rastësisht në lokalin ku ka ndodhur ngjarja dhe s’e ka përdorur armën.