Skandal: Gjendet mi i ngordhur në produktet e “Apetit Group”, fillon inspektimi i fabrikës së mishit të kësaj kompanie, bllokohet një sasi e suxhukut

Në produktet e mishit të kompanisë “Apetit Group”, saktësisht në suxhukun që prodhohet në fabrikat e mishit të kësaj kompanie, është gjetur një “mi i ngordhur”.

Rastin fillimisht e ka raportuar një qytetar në policinë e Kosovës, i cili ka treguar se në paketimin e suxhukut nga “Apetit”, të blerë në një market të kompanisë Inter Ex (Proex SHPK) në Vushtrri, ka gjetur një mi të ngordhur.

Policia më pas ka njoftuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë me datën 25 gusht.

Në përgjigjen që Albanian Post ka pranuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë konstatuar se në produktin që kanë inspektuar, kanë konfirmuar se bëhet fjalë për paketim të kompanisë “Apetit”.

“Është vërejtur qartë se produkti është prodhuar nga subjektit operatori ekonomik Apetit. Në një pjesë të ndarë të produktit në pamje vizuale është konstatuar se është një mi i ngordhur. Ekipi inspektues menjëherë me prezencën e policisë ka nisur ndërmarrjen e veprimeve për gjurmim të rastit”, thuhet në përgjigjen e AUV-ut për Albanian Post.

Është e njëjta kompani që ka tenderë nga institucionet e Kosovës për të furnizuar me produkte të mishit Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të gjitha spitalet e Kosovës, të gjitha Qendrat e Shëndetit Mendor, Qendrën Studentore të Kosovës, burgjet e Kosovës dhe shumicën dërrmuese të komunave të Kosovës.

 

Lexo edhe:  Arrestohet një burrë në Prishtinë, u kap me 26 pako fëstëka në duar në vlerë rreth prej 114€